Masat e reja të policisë kufitare kundër azilkërkuesve, nga Shqipëria në
zonën “Shengen”, kanë dhënë rezultatet e para. Fluksi i hyrje-daljeve
në aeroportin e Rinasit në sezonin turistik, mund të shfrytëzohet nga
shtetasit shqiptarë, të cilët kanë si qëllim udhëtimin drejt vendeve të
BE për të kërkuar azil, shkruan “Panorama”.
Duket se masat e marra nga ana e Policisë për të parandaluar këtë
fenomen, në zbatim edhe të urdhrit me kritere të reja të udhëtimit nga
drejtori i Përgjithshëm i Policisë, po ua bënë thuajse të pamundur këtë
“ëndërr”.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, 39 shtetas shqiptarë nuk janë lejuar që
të fluturojnë nga Rinasi drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit
Europian, pasi Policia Kufitare ka pasur dyshime të arsyeshme se ata do
të udhëtonin për qëllim azili.
“Shtetasit janë refuzuar bazuar në masat shtesë të përcaktuara në
urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, urdhër i
dalë në fillim të muajit gusht”, tha dje Policia e Shtetit.
Ndërsa sqaroi se për të përballuar fluksin e shtetasve të huaj e
shqiptarë që vijnë apo largohen nga Shqipëria, gjithashtu edhe për të
parandaluar çdo rast të dyshimtë për azil në BE, janë shtuar sportelet
në aeroport.
Mësohet se aktualisht në Rinas po punohet me 9 sportele në hyrje dhe 8
në dalje. Ndërsa vetëm gjatë dy ditëve të fundit, nga aeroporti “Nënë
Tereza” kanë hyrë në territorin tonë 13 mijë shtetas shqiptarë e të
huaj.
MASAT NE RINAS
Policia tha dje se, janë marrë të gjitha masat për të përballuar
fluksin e hyrjedaljeve të shtetasve që qarkullojnë nëpërmjet aeroportit
të Rinasit. Nga ana tjetër, struktura të caktuara kanë përqendruar punën
edhe në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
“Vëmendje e veçantë edhe në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të
atyre shtetasve, që kanë për qëllim kërkimin e azilit në Francë e në
vende të tjera të BE-së”, tha Policia e Shtetit. Mësohet se gjatë muajit
gusht kanë hyrë në Shqipëri 27.345 shtetas shqiptarë, si dhe 35.918
shtetas të huaj. Ndërsa kanë dalë 20.332 shtetas shqiptarë e 26.886
shtetas të huaj.
“Gjatë dy ditëve të fundit ka një rritje të madhe të fluksit të
hyrjes për në vendin tonë, ku numri arrin deri në 13 mijë shtetas
shqiptarë dhe të huaj. Aktualisht, në Rinas po punohet me 9 sportele në
hyrje dhe 8 në dalje. Policia Kufitare e Rinasit është e angazhuar
maksimalisht për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor të gjithë
shtetasve që hyjnë dhe dalin nëpërmjet aeroportit, si dhe e vendosur për
të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë”, tha Policia.
Burimet thanë se do u refuzohet kalimi i kufirit të gjithë shtetasve
shqiptarë që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara nën urdhrin e Haki
Çakos, për të udhëtuar drejt vendeve të BE. Nuk kanë adresë të saktë
akomodimi, apo destinacioni, nuk kanë ftesë pritëse, si dhe mjete të
mjaftueshme financiare.
0 commenti:
Posta un commento