Tirana International Airport (TIA) ka kënaqësinë të evidentojë
progresin e shënuar nga shoqëria ajrore vendase/shqiptare Albawings e
cila u themelua në shkurt të vitit 2016 dhe aktualisht operon gjashtë
destinacione drejt Italisë me një koeficient mesatar ngarkimi prej më
shumë se 90 përqind.
Shoqëria ajrore filloi operimet me një avion të tipit Boeing 737-500,
zgjedhja më e mirë për fluturimet në distanca të shkurtra ndërmjet
Shqipërisë dhe Italisë dhe është e angazhuar në ofrimin e biletave me
çmim ekonomik.
Albawings ka aktualisht të punësuar rreth 100 njerëz të përkushtuar,
ku pjesa më e madhe e tyre zotërojnë përvojë të gjerë në industrinë e
turizmit dhe shoqërive ajrore.
Së shpejti, shoqëria ajrore vendase në fjalë pritet të operojë me një
avion të dytë Boeing 737-400 me 168 vende që t’i shërbejë numrit në
rritje të pasagjerëve të parashikuar për festat e fundvitit.
Ndikuar nga rritja e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve të
operuara nga shoqëritë ajrore, trafiku i pasagjerëve të Tirana
International Airport u rrit ndjeshëm me 8% në 2016 krahasuar me vitin
2015. Gjithashtu, Aeroporti ka mirëpritur tre shoqëri te reja ajrore
gjatë këtij viti si dhe ka filluar operimin e katër destinacioneve me
një total prej 14 shoqërish ajrore të cilat lidhin 36 destinacione
përgjatë vitit.
Vetëm pak ditë më parë, aeroporti arriti shifrën e dy milonë pasagjerëve duke shënuar kështu një fazë të rëndësishme zhvillimi.
Së bashku me Albawings, gjatë vitit 2016, dy shoqëri të tjera ajrore filluan operimet në TIA: Volotea Airlines dhe Mistral Air.
burimi : Tirana International Airport (TIA)